Januzaj: Ja pse dështova te Manchester United

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Adnan Januzaj ka sugjeruar se prirja për të luajtur me topa të gjatë në Premierligë dhe mungesa e besimit nga Louis van Gaal ndikuan që ai të përballet me shumë vështirësi gjatë kohës së tij në Manchester United.

Për përfaqësuesin e Belgjikës ishin krijuar pritshmëri të mëdha në Angli, kur ai u bë pjesë e ekipit të parë nga sistemi i akademisë së Old Traffordit, nën drejtimin e David Moyesit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, paraqitjet e tij të hershme ishin më të mirat në karrierën e anësorit 24-vjeçar, i cili nuk arriti ta ruajë vendin e tij në skuadrën e Manchester Unitedit.

Januzaj e humbi vendin e tij dhe pastaj u huazua për një kohë në Borussia Dortmund dhe Sunderland para se të shitej përfundimisht në Real Sociedad në vitin 2017.

Ai e ka rindërtuar reputacionin e tij në Spanjë dhe në një intervistë të dhënë për The Telegraph e ka sqaruar rrugëtimin e karrierës së tij dhe situatën aktuale.

“Ka qenë një transferim i mirë. Kisha edhe opsione të tjera, por doja të vija në Spanjë. Kjo skuadër e do futbollin dhe ata luajnë futbollit të bukur – kjo është më e rëndësishmja në futboll”, ka thënë Januzaj.

“La Liga i përshtatet stilit tim të lojës. Është shumë më teknike, lojtarët janë shumë më të aftë teknikisht. Pozicionimi i lojtarëve është shumë inteligjent”.

“Në Angli, loja është pak më fizike, më shumë me topa të gjatë dhe më e drejtpërdrejtë. Në Spanjë, shumica e skuadrave e fillojnë aksionin prej mbrojtjes gradualisht. Kjo e bën dallimin pasi që sulmet bëhen më të lehta”.

Januzaj beson se progresi i tij në Manchester Unitedi u pamundësua nga emërimi i Louis van Gaalit në pozitën e trajnerit, pasi që holandezi nuk besoi në talentin e tij.

“Unë u rrita atje me Unitedin. Isha shumë i lumtur atje deri në vitin kur pata vështirësi me trajnerin dhe kjo më ngadalësoi”, shtoi Januzaj.

“Unë gjithmonë e dija se i kisha cilësitë për ta ndryshuar situatën. Problemi ishte se nuk po luaja mjaftueshëm dhe kur luaja e kisha të vështirë ta ndryshoj lojën kështu që imagjino si ndihesh kur luan kështu për një vit? Kjo i vështirëson situatat për ty”.

Situata e Januzajt u bë edhe më vështirë në pozitën e mesfushorit kreativ.

“Saktësisht, sepse ti je një lojtar që duhet ta bësh dallimin, të shënon gola. Tani imagjino se si është kur trajneri s’ta jep vetëbesimin për t’i sulmuar kundërshtarët, situata bëhet edhe më e vështirë për ty sepse ti nuk e di çfarë të bësh: të sulmosh apo të luash thjesht”, tha ai.

“Unë mora shumë kritika, por për mua kjo nuk paraqet problem sepse unë vetëm vazhdoj të ec përpara dhe tani jam në një ligë tjetër, jam i lumtur, luajta në Kupën e Botës për herë të dytë, shënova kundër Anglisë dhe ia dëshmova njerëzve se edhe kundër një skuadre angleze, me lojtarë që luajnë në Premierligë, unë e bëj dallimin. Ishte një moment i mirë”.

Januzaj shënoi kundër Anglisë në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2018, para se belgët ta mposhtnin sërish Anglinë në luftën për vendin e tretë të Botërorit. /Gazeta Express/

Share.

Comments are closed.