Saturday, December 14, 2019
Aktualitete

A kalon pragun Nisma-AKR pas rinumërimit të votave?

A po e kalon pragun Nisma – AKR?

Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re numëron 5.02 për qind të votave të fituara pas rinumërimit të 82.49 për qind të votave nga 314 vendvotime sa ka vendosur të rinumërohen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas Formularit të Raportimit të Rezultateve të partive politike (FRP), pas rinumërimit të 82 për qind të votave nga rinumërimi i 314 vendvotimeve, Nisma ka kaluar pragun zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare 2019.

Nga 314 vendvotimet që janë duke u rinumëruar, kanë mbetur të publikohet rezultati i plotë që përfshin edhe 18 për qind të vendvotimeve.

Lidhur me këtë rezultat, zëdhënësi për media i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se KQZ është duke publikuar në uebsajtin e saj rezultatet e rinumërimit të 314 vendvotimeve.

“Me qëllim të transparencës, pas çdo rinumërimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve. Formularët e rinumërimit po publikohen afër formularëve që janë plotësuar në vendvotime dhe çdo palë e interesuar mund të ketë çasje për të bërë krahasime”, ka thënë Elezi për Insajderin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një fazë të mëvonshme, pas përfundimit të numërimit të votave me postë, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas rinumërimeve eventuale, do të publikojë rezultatet përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve të zgjedhjeve parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 6 tetor 2019”, ka përfunduar Elezi.