Komente

Amerika mori mësim prej kosovarëve: E shfaqëm një të vërtetë tonën të vrazhdë

Amerika e ka marr mësimin prej neve. E mori në formën e realitetit të vrazhdë. Njashtu si shoqnitë e paformume munden me ju adaptue veç ambienteve të vrazhda, me tanë çiltërsinë prej nji kulture të mungueme, ua shfaqëm fytyrën e natyrën. Të vrazhdë, pa empatinë e viktimës.

Shkruan: Petrit Musolli

E festojmë sot plot entuziazëm të dalun prej lazdrimi si Ditën e Bastiles, të triumfuem në lavdinë e rezistencës.

Loading...

Njashtu sikur në Shqipninë e dikurshme, fuqitë e botës përplasen fort për murin e qëndresës sonë. Ndonëse nji grusht, vend, popull, pasuni, krijuem iluzionin e dëshiruem të nji epiqendre ku përthyhen interesat globale gjeopolitike, gjeostrategjike, e tana gjeot tjera që priten m’i prodhue lëvizjet interesgjike të superfuqive.

Qysh me shpjegue dalldinë e të dalunit prej nji realiteti faktik, politik?! Qysh me e përshkrue debatin e sotëm të imponuem publik-politik?! Për me e kuptue katandisjen, për me e pa me sy katandisjen, ilustrim analogjik-anakronik mundet me na shërbye, ndoshta, vetëm beteja publike e nji grupi (në rritje) të çmendunish që sfidojnë shkencën e sotme, në kohën e udhëtimeve në hapësinë, për formën e Tokës sonë.

Qysh me debatue me këte botë njerëzish për ekosistemin për shmebull, për ngrohjen globale e shtresën e ozonit, pale për vrima të zeza (që mund të jenë të bardha, të kuqe, të verdha…) kur Tokën e besojnë vetëm të sheshtë.

Duhet me i kthye njiherë në rrumbullakësinë e saj, mandej…, tjerat me radhë! Shkencëtarët mundohen ta shpjegojnë dallimin mes shkencës dhe pseudoshkencës nëpërmjet shembullit të konkludimit të teorive. Shkencëtarët, tregojnë ata, ndjekun një proces të natyrshëm të mbledhjes së provave dhe provimit të hipotezave për të nxjerrur një konkluzion, që doemos kërkon verifikim e vërtetim.

Ndërsa, pseudoshkencëtarët, së pari konkludojnë teorinë, mandej mundohen të gjejnë dhe ndërtojnë prova që mbështesin atë teori! Ky në fakt, është dallimi esencial në secilin debat të shnosh, për secilën sferë të jetës! Sikurse në tana pseudot, edhe në pseudoargumentimin e pseudodebatit të pseudopolitikës sonë, ne ndjekëm logjikën e panatyrshmënisë e të Sheshtisë! Asnji provë prej sateliti s’e bind sheshtësinë tonë për botën që na rrethon. Amerika e ka kuptue mësimin për neve! Prej ditës (natës) kur tentuen me zhba Gjykatën Speciale, vazhdue me demarkacionin e tash me tarfien, vërtetuen se udhëhiqemi prej nji (botë)kuptimi tjetër për respektimin reciprok të miqësisë. As “krahu” politik që çliroi, as ai që e pavarësoi Kosovën nuk gjeti as më të voglin mirëkuptim në kërkesat eksplicite të tyre. Ne mund të jem epiqendra e Botës së Sheshtë. Por, kjo s’ka me ndalue në rutinën e vet të funksionimit e funskionit universal. Ka me na përballë me tanë natyrën e saj të vërtetë. Ku jem veç nji … Në tanë mosbidjen e shfaqun ndaj secilit argument, në secilën etapë të nevojës për me dëshmue besimin tonë në forcën reale të ekzistencës e mbijetesës sonë, ash tue na kushtue me drynim në botën e kastandisun në sheshtësi. Fundin kem me ia pa mbas marrëveshjes finale me Serbinë. Kem me u ballafaque me vogëlsinë tonë.

Sot, në kohën e hi-tech’ut ushtarak, në nji rajon të vogël si i yni, nji bazë dhe nji ambasadë se kanë nevojën me u ngjit bashkë. Shumica e shteteve të rajonit janë tashma të anëtarësume në NATO, potenciale për baza ushtarake. Baza ushtarake Bondsteel ka qenë demonstrim i pranisë shumëdimensionale të Amerikës në Kosovë. Përndryshe, zbarkimi i trupave në secilin vend të rajonit, sot, mund të bahet me shpejtësinë e zanit.

Ajo ka me u largue, (simbas tana gjasave) tue mos e vlerësue nevojën e demosntrimit të pranisë, mbas pajtimit të nji marrëveshje, ku Serbia ka me garantue ndërkombëtarisht moscenimin territorial të Kosovës. Prania (ndihma) amerikane kurrë ma s’ka me qenë e njajtë sikur me trupat e saj këtu. Europa, kurrë ma s’ka me qenë e fokusume sikurse me praninë amerikane këtu.

Bota nuk asht e sheshtë. Ajo asht e rrumbullakët. Rrotullohet. Rrotullohen aleancat. Rrotullohen edhe miqësitë!

(Autori është gazetar i njohur. Artikulli botohet me lejen e autorit)

Loading...