Kuriozitete / Fun

E tmerrshme: Restoranti kinez e feston përhapjen e koronavirusit në ShBA e Japoni

Një restorant kinez e ka vendosur një mbishkrim të madh në hyrje të tij për ta festuar faktin që Shtetet e Bashkuara dhe Japonia janë goditur nga koronavirusi.

Në mbishkrimin me shkronja ngjyrë ari e me prapavijë të kuqe shkruhet: “Përgëzime të mëdha për epideminë amerikane dhe jetë të gjatë epidemisë në Japoninë e vogël”.

Menaxheri i restorantit lokal në pjesën veri-lindore të Kinës, Shenyang, është shkarkuar nga kompania pasi ajo u përball me reagime të shumta negative në rrjetet sociale.

Loading...

Personi që e menaxhonte restorantin, i identifikuar vetëm me mbiemrin Hui, e kishte vendosur mbishkrimin pa lejen e zyrës qendrore si përpjekje për të tërhequr më shumë mysafirë.

Rrjeti i restoranteve që e ka në pronësi këtë lokal tha se mbishkrimi kundërthënës është larguar dy orë pas vendosjes dhe menaxheri është ndaluar nga policia për t’u marrë në pyetje, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

“Ndiejmë keqardhje të thellë për efektin negativ që e ka shkaktuar në shoqëri”, thuhet në deklaratën e pronarëve të këtij rrjeti.

Ky veprim u komentua shumë në rrjetet sociale pasi për incidentin raportuan mediet në Japoni. “Kjo është shumë, shumë e turpshme”, tha një komentues në rrjetin Weibo.

Nacionalistët kinezë kanë antipati për Japoninë. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ftohta për dekada me radhë për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale dhe dhunës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Loading...