Lajme

Çfarë masash merren ndaj atyre që nuk e respektojnë ndalimin e qarkullimit në Kosovë?

Megjithëse janë bërë dy ditë prejse është në fuqi vendimi për kufizim të lëvizjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia nuk kanë dhënë sqarime se me çka do të përballen qytetarët që nuk e respektojnë atë.

Në raportin e përditshëm të Policisë së Kosovës nuk është e paraqitur asnjë gjobë që lidhet me këtë, raporton KTV.

Ministria e Punëve të Brendshme ka rekomanduar që pyetjet për këtë t’i përcillen Policisë së Kosovës.

Loading...

“Ju lutem pyetjet tuaja t’i drejtoni në Policinë e Kosovës”, ka thënë MPB-ja.

As Policia e Kosovës nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për këtë temë, duke shkruar se janë institucion i zbatimit të ligjit dhe se të gjitha vendimet e lëshuara nga organet kompetente sipas detyrës dhe autorizimeve policore i zbatojnë.

“Policia e Kosovës referuar situatës dhe rrethanave të krijuara në vendin tonë nga pandemia COVID-19 me kohë ka hartuar urdhrin operativ, të cilin tanimë e ka në implementim, ku të gjitha aktivitetet dhe masat i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet e tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave të harmonizuara sipas planit për gatishmëri dhe reagim. Policia e Kosovës nuk komenton apo interpreton asnjë vendim, Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha vendimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas detyrës dhe autorizimeve policore i zbaton. Njëkohësisht Policia e Kosovës koordinon aktivitetet e saj me Grupin ndërinstitucional për menaxhimin e incidenteve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, ka thënë Policia e Kosovës.

E gjatë së mërkurës, pas orës 10:00, ka pasur fare pak qarkullim të qytetarëve në Prishtinë.

Zyrtarët policorë janë kujdesur për këtë gjendje.

Një ditë pasi Qeveria e mori vendimin, presidenti Hashim Thaçi e dërgoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se shkel disa nene të Kushtetutës.

Thaçi, njëkohësisht kërkoi edhe masë të përkohshme, që do të nënkuptonte pezullimin e zbatueshmerisë së vendimit.

Gjykata Kushtetuese kanë thënë se kërkesën është duke e shqyrtuar me urgjencë dhe prioritet të lartë.

“Kjo kërkesë është ende duke u shqyrtuar. Në komunikatën për media të publikuar dje, Gjykata tashmë e ka bërë të qartë se këtë lëndë është duke e trajtuar me urgjencë dhe prioritet të lartë”, tha Veton Dula nga Gjykata Kushtetuese.

Gjatë së martës, Kushtetuesja bëri të ditur se ka kërkuar komentet nga presidenti, kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit.

Loading...