Tuesday, December 10, 2019
Lajme

Ja çfarë ndodh nëse Kurti nuk i bën 61 vota në Kuvend – Procedurat për zgjedhjen e Qeverisë

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i marrur në vitin 2014 ia mundëson partisë fituese që e para ta nominoj kandidatin për kryeministër, në këtë rast i takon Lëvizjes Vetëvendosje që ta nominoj kandidatin e saj Albin Kurtin, për kryeministër, i cili duhet që ta ketë shumicën e thjeshtë në Kuvend, apo 61 vota që të zgjedhet kryeministër.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në këtë rast Hashim Thaçi e thërret seancën e parë të Kuvendit, e cila duhet të ndodhë më së largu 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, këtë rast nga certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit. E në rast se ai nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit. Seanca e parë konstituive udhëhiqet nga dy deputetë, përkatësisht nga deputeti më i vjetër dhe më i riu në sallë.

 

Atë ditë së pari në Kuvendin e Kosovës votohet kryeparlamentari si dhe shefet e grupeve parlamentare. Kryeparlamentari zgjedhet nga Grupi Parlamentar i cili e ka numrin me të madh të deputetëve në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, shkruan Gazeta NewBorn.

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës si dhe në një aktvendim të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese (atij të vitit 2014-të ), Qeverinë e Kosovës mund ta formojë vetëm partia apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet, në këtë rast i takon Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, tansmeton Gazeta NewBorn.

Por çka ndodh nëse Albin Kurti nuk siguron 61 vota në Kuvend për tu zgjedhur kryeministër?

Presidenti i Kosovës, në këtë rast Hashim Thaçi nominon kandidatin aoi kandidatën tjetër për kryeministër, këtë radhë i nominuari mund të jetë nga ndonjë subjekt tjetër politik dhe jo ai nga ai që ka fituar zgjedhjet. Brenda dhjetë dite nëse dështon i nominuari i parë për kryeministër, Presidenti i vendit e dërgon në Kuvend emrin e kandidatit tjetër për tu votuar (por që paraprakisht subjekti ose koalicioni duhet të ia dëshmojë Presidentit të vendit se i kanë 61 vota në mënyrë që të zhmangen zgjedhjet e reja), por nëse as herën e dytë kandidati për kryeministër nuk i bën 61 vota, Presidenti i vendit shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen më së largu 40 ditë që nga momenti kur i shpallë ato/Gazeta NewBorn/