Lajme

Kosova e trembur nga Koronavirusi, Thaçi e Kurti ‘fyt për fyt’ për lidership

Dy liderët e lartë të shtetit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi, kanë vazhduar luftën e tyre për lidership në një kohë kur shifrat e të prekurve me koronavirus (COVID-19) në vend dhe në botë kanë arritur në një pikë alarmante.

Pas mospajtimeve dhe përplasjeve lidhur me shpalljen apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme në vend javën e kaluar, Kurti dhe Thaçi kanë vazhduar mospajtimet mes tyre duke injoruar situatën e krijuar me përhapjen e koronavirusit në Kosovës.

Dy liderët shtetërorë janë përplasur edhe sonte, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.

Loading...

Në një konferencë për media të hënën në mbrëmje, pak minuta pasi Qeveria mori vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, Thaçi tha se vendimi i Qeverisë Kurti është kundër-kushtetues.

“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij sonte kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetuten e Republikës së Kosovës. Është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën. Vendimi për kufizimin e lëvizjes paraqet shmangie dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të garantuara me kushtetutë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për t’u ankuar lidhur me vendimin e qeverisë.

Presidenti tha se “me këtë vendim, Qeveria Kurti ka shkelur një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës”.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti e nisën përplasjen e tyre lidhur me masat kundër koronavirusit javën e kaluar, kur në mbrëmjen e 17 marsit Presidenti Thaçi njoftoi se ka gati dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

LEXO EDHE:
Lajmi i fundit: Gjyqtarët e Kushtetueses mblidhen për të marrë vendimin për dekretin

Qëndrim ky të cilin e kishte marrë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që vetë Presidenti e kishte kërkuar nga Kryeministri Albin Kurti. Pa dyshim se pjesëmarrës në mbledhje ishte edhe ky i fundit.

Pak para mesnatës Presidenti kishte bërë të ditur se tashmë e kishte nënshkruar dekretin dhe se të njëjtin do ta çonte para deputetëve për votim.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Haki Abazit, zëvendësit të Albin Kurti, i cili po atë natë – më 17 mars – u shpreh se qeveria e shihte të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Kryeministri nuk është në pajtueshmëri me propozimin e Presidentit Thaçi. Tani për tani gjendja e jashtëzakonshme është e panevojshme”, tha ai pak para mesnatës në një konferencë për media, shkruan Insajderi.

Shumë shtete në botë kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus.

Kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij. Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.

Në muajt vijues, pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.

Deri më 17 mars, në të gjithë botën janë konfirmuar 375 mijë raste të infektuara me koronavirus.

Mbi 80 mijë e 840 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19 janë mbi 16 mijë persona.

Loading...