Sport

E bujshme/ De Biasi kandidat për të drejtuar klubin e madh europian, luan edhe në Champions

Situata e fundit te Napoli është shumë e tensionuar mes drejtuesve dhe lojtarëve, përfshirë edhe trajnerin. Madje, ky i fundit pritet të jetë njeriu që do të mbajë barrën më të madhe të gjithë kësaj situate të rëndë. 3 javë pa fitore në Serie A, barazimi në Champions në mesjavë, lojtarët dhe trajneri që nuk i binden urdhërit të presidentit, të gjitha këto do të kenë pasoja të rënda.

Sipas “Tuttosport”, aventurës së Carlo Ancelottit në krye të Napolit duket se i ka ardhur fundi për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me Aurelio De Laurentiis.

Presidenti i Napolit ka vendosur që në të ardhmen të mos mbështetet më te trajnerët e famshëm dhe të shtrenjtë. Sipas medias në fjalë, një nga emrat që qarkullon për të marrë drejtimin e Napolit është edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.

63-vjeçari është i papunë që pas aventurës së shkurtër në La Liga te Malaga, ishte kandidat serioz për të marrë drejtimin e Sampdorias, por në fund klubi xhenovez zgjodhi Ranierin, ndërsa tani i ka dalë emri për te stoli i Napolit. Ky është një lajm i mirë edhe për Elesid Hysaj, pasi dihet që mbrojtësi kuqezi dhe De Biasi kanë një marrëdhënie të ngushtë mes tyre.